Monday, December 1, 2014

NA LËR TË SHKOJMË



Na lër të shkojmë, babush, ka ardhur koha të na lësh të shkojmë. Plot dy vjet sot që ti vjen e
ulesh çdo mbrëmje në këtë bordurë pa këmbësore (E shikon si e them, ba? Siç ma ke mësuar ti!);
plot dy vjet sot që vjen me një libër përrallash në dorë e më lexon, ashtu si dikur tek krevati im. Si
për të më vënë në gjumë... (Të them diçka? Nga gjithë përrallat, më shumë më pëlqen ajo me
princeshën e akullit, që më lexove javën e kaluar.) Dhe plot dy vjet që vjen e ndez qirinjtë, lë vezën
Kinder për mua dhe karamelen me kafe për mamin. (Oh e di se kush i merr zakonisht këto? S'e
dimë në do e kujtosh, por, e mban mend kur kemi qenë një herë nga liqeni? Na u afrua një lypëse
me një fëmijë përdore, të kërkoi lek por mami i dha paninen time e ajo, duke parë rreth e përqark
tërë frikë, e flaku pas biçikletës time, sepse donte lekë dhe jo bukë. Pikërisht ajo!)...
O ba, e di çfarë tha mami sot? Kur të pa me biçikletën përdore, e kam fjalën. “Oh, më në fund!”,
tha. Ja kështu! E di? Edhe unë them kështu, babush. Më në fund! E dimë që nuk i ke hipur kurrë më
një biçiklete, që nga ajo mbrëmje vjeshte. Por ka ardhur koha që ta bësh përsëri. Me të vërtetë e
kemi, babush. E di çfarë, o ba? Duhet të reshtësh së pyeturi pse pikërisht ne e jo ti. E mjaft pyete
veten se kush ishte, apo se kush e ngiste atë makinë të zezë pa drita. E kemi me të vërtetë. As ne
nuk pyesim më.
O ba, të të themi një sekret? E vërteta është se nuk duam dhe aq shumë që të shkojmë, por ja që
kështu duhet. Duhet të shkojmë dhe ti duhet të na lësh të shkojmë. Nuk po të kërkojmë të na
harrosh, por vetëm të na lësh të shkojmë. E dimë që zemra jote është e thyer në mijëra copëza dhe
kështu do të jetë gjithmonë, por, babush, ti nuk duhet të jesh i trishtuar. E mban mend si na thoshe?
Shiko anën pozitive, kështu na thoshte. Si atëherë kur të hoqën nga puna pse nuk shkove tek ajo
festa për zgjedhjet. E mban mend si the? Që tani do kishe më shumë kohë për familjen... dhe se tani
do të mund të kërkoje vërtet për diçka më të mirë. Të njëjtën gjë duhet të bësh edhe tani. Shiko: unë
e mami do të jemi gjithmonë aty, midis copëzave të thyera të zemrës tënde, duke mbushur hapësirat
e tyre, në mënyrë që ato të qëndrojnë gjithnjë të lidhura e të mos shkëputen kurrë prej njëra –
tjetrës. Por duhet të na lësh të shkojmë, babush! Dhe ti duhet t’i hipësh sërish biçikletës e të
pedalosh, si dikur së bashku. Por mos eja më këtu, në këtë vend të mallkuar. Kështu ne do të mund
të shkojmë, por, njëkohësisht do të jemi me ty, kudo, në çdo çast. E kur të ndjesh pak ftohtë edhe
pse jashtë do të jetë ngrohtë, ti buzëqesh, se unë e mami sapo do të të kemi dhënë një të puthur. Por
na lër të shkojmë. Që edhe ti të shkosh. Është ajo që quajnë jetë, babush. Të duam fort! Muah!


© Enkelejd Lamaj

No comments:

Post a Comment