Friday, December 19, 2014

Letër Qytetit tim …(dhe karameleve Zana)



I shtrenjti Qyteti im,

më ka marrë malli për ty.

Më ka marrë malli për atë kohën e pakohë kur endrrat që Ti thurje (e unë bashkë me Ty)  ishin të brishta e mbanin aromë piprrash te vijëzuara e kërcisnin si qesja e kuqerremtë që mbështillte karamelet Zana. Më ka marrë malli për mollët e sheqerit që shiteshin në rrugë, për lëpirëset në formë gjeli që aq shumë I doja, për aranxhatat me shishet ngjyrë jeshile e për akulloren me bozë te Gastronomi
(oh akullorja me bozë)
Pse, Ti vetë nuk ke mall për vitrinat e tua të varfra, por të zbukuruara me pambuk për festa, për zonjat që psonisnin me trasta rrjete, e për sobën me dru?
Shpesh gjyshja vendoste mbi të levore portokajsh për të aromatizuar shtëpinë e ne mblidheshim rreth saj derisa na lotonin sytë. Ishte kohë gështenjash të pjekura, pasigurish të njoma, e letrash të shkruara me laps e letër.
Kam mall për kohën kur Ti, Qyteti im, dashuroje fshehtas përmes muzikës së mirë, frekuencave të ndaluara, e gjuhëve të pafolura. Ishe I sinqertë atëherë? Apo I frikësuar ishe? Nuk e di…
Por di që atëherë rrugica e lagjes sime zbukurohej nga dege nespullash pikaloshe e nga zhurmë karrocash me guzhineta. Di që unë valëvitesha mbi kolovajse, rrotullohesha bashkë me Ty në karuselet katërvëndeshe, e ndjeja ajrin e pastër teksa luaja me peta apo topaluftash.
Atëherë zëri Yt ishte thirrja e një mamaje që mbante në dorë një fetë bukë me gjalpë e sheqer, ishte cingërima e mullirit ku bluante kafenë fqinja, e gurgullima rrobave të bardha që zienin në enë të stërmedha. (pse bëjnë lluk-lluk-lluk –thoja unë )
Rrugët e Tua kishin tingullin e zileve të bicikletave, e të karrocave të akulloreve (gjithmonë këto akulloret) ndërsa e diela Jote gëzohej nga të qeshurat e Teatrit të Kukullave.
Mbrëmjet I kaloje në pista ku luhej muzikë orkestrale e unë e mbledhur kruspull në një karrige, mes qerpikësh të përgjumur, vështroja tim atë e time më ‘, teksa vallëzonin nën ritmin e asaj që për mua asokohe ish Dashuria.
Kam mall për rrugët e Tua që më bënin të ndihesha e vockël fare, për afishet e filmave në kinema, për makinën qe lagte rrugët pa e carë kokën që ne I shkonim pas me vrap, për bostanin zemërkuq që kullufitnim gjatë piknikut nën pisha e për qershitë që zbukuronin veshët e mi.

A I kujton të gjitha këto Qyteti im? A mban mend Ti?
Apo asokohe të përkundte gjumi e dielli I Lindjes të kish mjegulluar Perëndimet?

Nuk e di!


…por di që atëherë unë të paktën ëndërroja!

Ledia Bushati

No comments:

Post a Comment